Festimet për titullin kampion të Arsenalit kanë sjellë emocione të mëdha jo vetëm te tifozët dhe skuadra aktuale, por edhe te ish-lojtarët e klubit londinez. Një nga reagimet më të ndjera erdhi nga Granit Xhaka, i cili nuk e fshehu krenarinë për suksesin historik të “Topçinjve”.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane publikoi një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke përgëzuar trajnerin Mikel Arteta dhe gjithë skuadrën për triumfin në Premier League pas 22 vitesh pritje.
“Nje skuader speciale, lojtare te medhenj dhe nje klub qe nuk reshti kurre se besuari. E gjitha kjo eshte fale teje, Mikel. Jepini ketij njeriu respektin qe meriton”, shkroi Xhaka në reagimin e tij.
Ish-kapiteni i Arsenalit vlerësoi punën e Artetës, duke theksuar se trajneri spanjoll arriti të krijojë identitet, karakter dhe besim brenda skuadrës edhe në momentet më të vështira të projektit.
Xhaka ishte pjesë e Arsenalit nga viti 2016 deri në vitin 2023, periudhë gjatë së cilës zhvilloi 297 ndeshje dhe fitoi dy trofe të FA Cup dhe dy Community Shield. Pavarësisht largimit drejt Bayer Leverkusenit, lidhja e tij emocionale me klubin londinez vazhdon të mbetet shumë e fortë.

