Sezoni i jashtëzakonshëm i talentit turk Kenan Yıldız po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në statistika dhe vlerësime ndërkombëtare. Ylli ofensiv i Juventusit konsiderohet aktualisht futbollisti me vlerën më të lartë në Serie A, falë ndikimit të madh në lojën e skuadrës bardhezi gjatë këtij sezoni.
Sipas të dhënave të publikuara nga CIES Football Observatory, vlera e kartonit të Yıldız ka arritur në rreth 132.7 milionë euro.
Ai renditet në krye të listës në kampionatin italian, duke lënë pas kapitenin e Inter Milan, Lautaro Martínez, i cili vlerësohet me rreth 101.8 milionë euro. Performanca e 19-vjeçarit nuk bie në sy vetëm për vlerën e tregut. Sipas statistikave të publikuara nga Opta, vetëm dy lojtarë në pesë ligat kryesore evropiane kanë arritur këtë sezon të regjistrojnë të paktën 65 driblime të suksesshme dhe 50 raste të krijuara për bashkëlojtarët.
Njëri prej tyre është pikërisht Yıldız, i cili ka realizuar 66 driblime të suksesshme dhe ka krijuar 59 mundësi shënimi për ekipin e tij. I vetmi që e tejkalon në këto shifra është supertalenti i FC Barcelona, Lamine Yamal.

Spanjolli ka regjistruar deri tani 115 driblime të suksesshme dhe 62 raste të krijuara për gol, duke konfirmuar statusin e tij si një nga talentet më të mëdha të futbollit evropian.
Megjithatë, statistikat e këtij sezoni tregojnë qartë se Yıldız është shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë në Itali dhe një nga emrat më premtues të gjeneratës së re në futbollin evropian.

