Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, vazhdon të jetë në pritje të vendimit të portierit francez Mike Maignan për rinovimin e kontratës. Klubi kuqezi nuk do të ndërmarrë veprime të tjera në merkato për portier, pa qartësuar fatin e kapitenit të tij.
Sipas ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, Milani i ka ofruar Maignan një kontratë vjetore prej 7 milionë eurosh, ku 5 milionë euro janë pagë fikse dhe 2 milionë euro në formë bonusesh.
“Milani po pret dritën jeshile të Maignan për rinovimin. Situata është optimiste dhe gjithnjë e më afër finalizimit. Oferta përfshin 5 milionë euro fikse plus 2 milionë euro bonuse, ndërsa tani presim miratimin përfundimtar nga portieri dhe agjentët e tij,” raporton Romano.
Portieri francez ka tërhequr interes edhe nga Premier League, me Chelsea dhe Manchester United që kanë shfaqur dëshirë serioze për shërbimet e tij. Kontrata e Maignan me Milanin përfundon këtë verë, duke e bërë situatën të ndjeshme për klubin kuqezi.

