Kombëtarja e Shqipërisë zbriti në fushë ndaj Izraelit në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran. Për debutimin e tij në stolin kuqezi, tekniku italian u mbështet kryesisht te lojtarët që kanë qenë pjesë e skuadrës edhe gjatë periudhës së Sylvinhos.
Sipas të dhënave të Transfermarkt, formacioni titullar i aktivizuar nga Maran ka një vlerë totale prej 51.7 milionë eurosh, ndërsa vlerat individuale të futbollistëve variojnë nga 600 mijë deri në 15 milionë euro.
Lojtari me vlerën më të ulët në këtë formacion është Arlind Ajeti, i cili vlerësohet me 600 mijë euro. Megjithatë, mbrojtësi mbetet një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e Kombëtares së Shqipërisë, pasi është i vetmi futbollist kuqezi që është shpallur “Lojtari i Ndeshjes” nga UEFA në një Kampionat Europian, pas paraqitjes së tij ndaj Rumanisë në Euro 2016.
Në anën tjetër, futbollisti me vlerën më të lartë është Anis Mehmeti, kartoni i të cilit vlerësohet në 15 milionë euro. Interesant është fakti se, pavarësisht vlerës së lartë në treg, kjo ishte ndeshja e tij e parë si titullar me Kombëtaren e Shqipërisë.
Përballja me Izraelin shërbeu si testi i parë për Maran në krye të kuqezinjve, ndërsa vëmendja ishte e përqendruar edhe te futbollistët që mbajnë peshën kryesore të skuadrës si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë financiar.

