Dinamo ka marrë një lajm shumë të rëndë në mes të sezonit, pasi Bekim Maliqi ka pësuar një dëmtim serioz që pritet ta mbajë larg fushave për një kohë të gjatë. Mbrojtësi 24-vjeçar u dëmtua në përballjen ndaj Besës, në fazën 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, ndërsa tashmë është konfirmuar edhe shkalla e dëmtimit.
Pas ekzaminimeve mjekësore dhe rezonancës magnetike, është mësuar se Maliqi ka këputur ligamentin, një dëmtim i rëndë që kërkon një periudhë të gjatë rikuperimi. Sipas parashikimeve mjekësore, futbollisti mund të qëndrojë jashtë fushës për gjashtë muaj ose më shumë, çka nënkupton mbylljen e parakohshme të sezonit për të.

Ky zhvillim përbën një goditje të madhe për trajnerin Ilir Daja, i cili humbet një nga elementët kyç të skuadrës në pjesën e dytë të sezonit. Deri në momentin e dëmtimit, Maliqi ishte titullar i rregullt te Dinamo, duke regjistruar 24 paraqitje dhe 1 asist në të gjitha kompeticionet.
Mungesa e tij pritet të ndikojë ndjeshëm në stabilitetin e repartit defensiv të “bluve”, ndërsa klubi do të duhet të gjejë zgjidhje alternative për vazhdimësinë e sezonit.

