Florent Hadergjonaj është përfshirë në formacionin e javës në kampionatin turk, pas një paraqitjeje spektakolare ndaj Fenerbahçes, ku ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë.
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës pati një ndeshje të jashtëzakonshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në dy gola. Hadergjonaj realizoi një gol dhe asistoi në një tjetër, duke luajtur rol kyç në paraqitjen e skuadrës së tij përballë gjigantit turk.
Performanca e tij u vlerësua maksimalisht nga mediat sportive në Turqi, të cilat e përfshinë atë në 11-shen më të mirë të javës, si shpërblim për nivelin e lartë të treguar si në fazën ofensive ashtu edhe në aspektin defensiv.
Ky vlerësim konfirmon formën e shkëlqyer që Hadergjonaj po kalon këtë sezon, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të tij dhe një nga mbrojtësit më produktivë në Superligën turke.

