Sport

Barcelona planifikon që tani sezonin e ardhshëm, tre objektiva madhorë në merkato

Barcelona ka nisur prej kohësh punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, me drejtuesit e klubit që synojnë përforcime konkrete në disa pozicione kyçe. Strategjia e katalanasve është e qartë: afrimi i futbollistëve të afirmuar, të gatshëm për të dhënë menjëherë impakt në nivelin më të lartë.

Edhe pse ecuria e sezonit aktual do të ndikojë në vendimet përfundimtare, menaxhmenti sportiv ka intensifikuar diskutimet me stafin teknik dhe ka përcaktuar tri zona prioritare për ndërhyrje në merkato.

Sipas Mundo Deportivo, Barcelona ka rënë dakord për nevojën e transferimit të një qendërmbrojtësi me këmbë të majtë, një anësori ofensiv dhe një sulmuesi qendror që në të ardhmen të mund të zëvendësojë Robert Lewandowskin. Në të gjitha rastet, klubi po kërkon profile me eksperiencë në elitën e futbollit evropian.

Në repartin defensiv, ëndrra e madhe e “Blaugranëve” mbetet kroati Josko Gvardiol (Manchester City, 23 vjeç). Megjithatë, për shkak të kostos së lartë të këtij operacioni, Barcelona po mban në listë edhe alternativa të tjera si Alessandro Bastoni (Inter, 26 vjeç) dhe Nico Schlotterbeck (Borussia Dortmund, 26 vjeç).

Për krahun e sulmit, objektivi është më konkret. Barcelona po shqyrton seriozisht aktivizimin e opsionit të blerjes prej 30 milionë eurosh për Marcus Rashford (Manchester United, 28 vjeç), i cili aktualisht aktivizohet në formë huazimi dhe shihet si përforcim ideal për fazën ofensive.

Ndërkohë, për pozicionin e sulmuesit qendror, katalanasit janë të vendosur të bëjnë maksimumin për të siguruar shërbimet e Julián Alvarez (Atlético Madrid, 25 vjeç), i konsideruar si pasuesi ideal i Lewandowskit në vitet në vijim.

Merkatoja e verës pritet të jetë vendimtare për projektin sportiv të Barcelonës, me klubin që synon të rikthehet fuqishëm në majat e futbollit evropian.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së