E diela e 10 majit pritet të jetë një nga ditët më spektakolare të sezonit për tifozët e futbollit, me një program të mbushur me ndeshje të mëdha në kampionatet kryesore evropiane.
Vëmendja kryesore do të jetë te supersfida Barcelona-Real Madrid, “El Clásico” që mund të vendosë fatin e titullit në La Liga. Përballja në “Camp Nou” konsiderohet një nga më të rëndësishmet e viteve të fundit, pasi Barcelona është shumë pranë kurorëzimit kampione, ndërsa Reali kërkon ta mbajë ende gjallë garën për titull.
Atmosfera para sfidës është elektrizuese. Barcelona vjen më e qetë dhe me moral të lartë, ndërsa në kampin madrilen raportohen tensione dhe probleme të brendshme pas rezultateve zhgënjyese të javëve të fundit. Pikërisht kjo e bën “El Clásicon” edhe më dramatik dhe më të paparashikueshëm.
Por spektakli nuk ndalet vetëm në Spanjë. Serie A italiane sjell disa përballje shumë interesante gjatë gjithë ditës. Programi nis me Verona-Como, ndërsa më pas luhen Fiorentina-Genoa dhe Cremonese-Pisa. Në mbrëmje vëmendja zhvendoset te Parma-Roma dhe sidomos te sfida e madhe Milan-Atalanta në “San Siro”.
Edhe Premier League angleze ofron emocione, ku Arsenal kërkon të vazhdojë garën në krye ndaj West Hamit, ndërsa në Bundesliga zhvillohen disa duele me rëndësi për Evropën dhe mbijetesën.
Në program janë gjithashtu edhe ndeshje të Serie A Femminile dhe Serie C italiane, duke krijuar një maratonë të vërtetë futbolli për tifozët në televizion dhe platformat streaming.

