Barcelona dhe Real Madridi përballen sonte në një tjetër “El Clasico” me peshë historike, në një duel që mund të vendosë fatin e titullit në La Liga.
Katalanasit hyjnë në ndeshje me avantazh të madh në tabelë dhe një fitore apo edhe barazim do t’i afronte shumë me titullin kampion. Në anën tjetër, Reali i Madridit vjen nën presion të madh pas një sezoni të mbushur me tensione, probleme të brendshme dhe rezultate zhgënjyese.
Në kampin madrilen situata nuk duket aspak e qetë. Mediat spanjolle kanë raportuar për përplasje mes lojtarëve në dhomat e zhveshjes, ndërsa trajneri Alvaro Arbeloa është përpjekur të ulë tensionet para sfidës së madhe.
Ndërkohë, te Barcelona atmosfera është shumë më e qetë. Hansi Flick beson se skuadra e tij është gati për “goditjen” përfundimtare drejt titullit, me tifozët që presin një tjetër natë magjike në “Camp Nou”.
“El Clasico” i sontëm nuk është vetëm duel rivalësh të përjetshëm, por një ndeshje që mund të shkruajë historinë e këtij sezoni në futbollin spanjoll.

