Kristjan Asllani e ka nisur në mënyrën më të vështirë aventurën e tij te Beşiktaş. Mesfushori i Kombëtares shqiptare debutoi me fanellën bardhezi në ndeshjen ndaj Konyaspor, por aktivizimi i tij zgjati vetëm pak minuta.
Asllani u hodh në fushë në minutën e shtatëdhjetë e gjashtë të takimit dhe u ndëshkua me karton të kuq direkt vetëm pesë minuta më vonë, pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj një futbollisti kundërshtar. Arbitri nuk hezitoi ta ndëshkojë, duke lënë Beşiktaşin me një lojtar më pak, pavarësisht se skuadra e tij arriti ta mbyllë ndeshjen me fitore.
Megjithatë, ndëshkimi nuk do ta pengojë Asllanin të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e radhës në kampionat. Sipas rregullores së futbollit turk, kartoni i kuq direkt mund të shlyhet në ndeshjen e parë të radhës, pavarësisht kompeticionit.

Për këtë arsye, Asllani do të mungojë në përballjen e Kupës së Turqisë ndaj Kocaelispor, ndërsa do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kampionatit ndaj Alanyaspor, e cila zhvillohet në fundjavë.
Debutimi i mesfushorit nuk ishte ai i dëshiruari, por tashmë vëmendja e tij është e përqendruar te rikthimi dhe kontributi për ekipin në vazhdim të sezonit.

