Transferimi i Jean-Philippe Matetës drejt Milanit, i vlerësuar në rreth 30 milionë funta, ka dështuar në momentet e fundit, pasi gjatë kontrolleve mjekësore u evidentua një problem në gju.
Sulmuesi francez kishte shprehur prej kohësh dëshirën për t’u larguar nga Crystal Palace, duke refuzuar bisedimet për rinovimin e kontratës përtej vitit 2027. Një kalim në Serie A ka qenë prioritet absolut për 28-vjeçarin, edhe pse në tavolinë kishte një ofertë më të lartë, 35 milionë funta, nga Nottingham Forest.
Interesi i Milanit nuk ishte i ri. Sipas mediave angleze, kontaktet e para mes palëve kishin nisur që në dhjetor, me Matetën që kishte dhënë menjëherë dritën jeshile për një transferim në Itali. Përfaqësuesit e lojtarit kishin kërkuar një formulë huazimi me opsion ose detyrim blerjeje, por negociatat u ndërprenë pas problemeve të zbuluara në ekzaminimet mjekësore.
Për momentin, ëndrra e Matetës për Serie A mbetet e pezulluar, ndërsa e ardhmja e tij pritet të rikthehet sërish në qendër të merkatos.

