Skuadra e Dritës është shumë pranë shpalljes kampione në Superligën e Kosovës. Ekipi gjilanas mund ta sigurojë matematikisht titullin e pestë në histori këtë të shtunë, nëse arrin ta mposhtë Ballkanin në javën e 33-të të elitës së futbollit kosovar.
Drita kryeson tabelën me 63 pikë, tetë më shumë se Ballkani që renditet në vendin e dytë. Në rast fitoreje, diferenca do të shkonte në 11 pikë, ndërsa deri në fund do të mbeteshin vetëm edhe nëntë pikë në lojë, duke e bërë skuadrën e Ramadanit të paarritshme.
Trajneri Zekirija Ramadani ka deklaruar se ekipi është i gatshëm për sfidën më të rëndësishme të sezonit. Ai theksoi se grupi ka cilësi dhe eksperiencë për ta përballuar presionin e ndeshjes ndaj Ballkanit.
Në konferencën për shtyp, optimist u shfaq edhe sulmuesi Kristal Abazaj, i cili potencoi se me mbështetjen e tifozëve, Drita mund ta realizojë objektivin e madh të sezonit.
Drita deri më tani ka fituar katër tituj kampioni, ndërsa ky do të ishte i pesti në histori të klubit. Në anën tjetër, për Zekirija Ramadanin do të ishte një tjetër sukses i madh në karrierën e tij si trajner në futbollin kosovar.
Gjilanasit këtë edicion kanë shkruar histori edhe në Evropë, duke arritur deri në plejofin e Ligës së Konferencës, sukses që e ka rritur edhe më shumë entuziazmin rreth klubit.

