Klubi i madh turk, Fenerbahce, thuhet se ka futur në listën e tij të transferimeve sulmuesin e kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, i cili aktualisht aktivizohet te Hoffenheimi.
Skuadra nga Stambolli ka qenë shumë aktive në këtë afat kalimtar, duke afruar disa emra të njohur nga futbolli evropian, me synimin e qartë për ta rikthyer titullin kampion pas një pritjeje të gjatë.
Megjithatë, krahas afrimeve, Fenerbahce ka bërë edhe largime të rëndësishme. Një prej tyre është Youssef En-Nesyri, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti si lojtar i Juventusit. Kjo ka shtyrë drejtuesit e klubit të kërkojnë alternativa të reja për repartin ofensiv.
Sipas mediumit turk Sozcu, një nga emrat që po shqyrtohet seriozisht është ai i sulmuesit kosovar të Hoffenheimit, Fisnik Asllani.
23-vjeçari po kalon një sezon fantastik, teksa në 19 paraqitje në të gjitha garat ka realizuar 7 gola dhe ka dhuruar 5 asistime, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të kërkuar të momentit.
Forma e shkëlqyer ka bërë që Asllani të lidhet me disa gjigantë evropianë si Barcelona, Borussia Dortmund dhe Juventusi, ndërsa vlera e kartonit të tij vlerësohet rreth 30 milionë euro.
Mbetet të shihet nëse Fenerbahce do të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e sulmuesit të Dardanëve, i cili po vazhdon të rrisë reputacionin e tij në arenën ndërkombëtare.

