Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vizituar dy klubet gjilanase, Dritën dhe Gjilanin, të cilat po zhvillojnë fazën përgatitore dimërore në Antalya të Turqisë.
Gjatë kësaj vizite, Ademi u takua me drejtuesit e klubeve, stafet teknike dhe futbollistët, duke i përgëzuar për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit.
Ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të FFK-së për klubet kosovare, duke theksuar rëndësinë e kushteve të mira stërvitore dhe organizimit serioz në këtë fazë përgatitore, që ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të garave vendore.
Drita dhe Gjilani po shfrytëzojnë maksimalisht qëndrimin në Antalya, ku përveç seancave intensive stërvitore, po zhvillojnë edhe ndeshje miqësore, me synimin që të paraqiten sa më të përgatitura në vazhdimin e kampionatit.
Vizita e kreut të FFK-së u vlerësua pozitivisht nga të dy klubet, duke u cilësuar si një motiv shtesë për futbollistët dhe stafet teknike në prag të sfidave të rëndësishme që i presin.

