FIFA ka propozuar një ndryshim të ri në rregullore, sipas të cilit lojtarët që marrin trajtim mjekësor gjatë ndeshjes do të detyrohen të qëndrojnë jashtë fushës për një minutë. Propozimi pritet të shqyrtohet dhe miratohet në mbledhjen e kësaj fundjave të International Football Association Board (IFAB).
Qëllimi i këtij ndryshimi është reduktimi i humbjes së kohës dhe ndërprerjeve të panevojshme, si dhe përmirësimi i rrjedhës së lojës. Shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, ka theksuar se masa synon të frenojë simulimet dhe vonesat taktike.

Aktualisht nuk ekziston një rregull i unifikuar për kohëzgjatjen e qëndrimit jashtë fushe, ndërsa disa liga kanë vendosur udhëzime të tyre. Për shembull, Premier League aplikon rregullin e 30 sekondave që nga sezoni 2023/24, ndërsa në Major League Soccer lojtari duhet të largohet nëse qëndron më shumë se 15 sekonda në tokë dhe hyn stafi mjekësor.
Megjithatë, ka shqetësime se mungesa njëminutëshe mund të rrisë rrezikun që skuadra të ndëshkohet, duke mbetur përkohësisht me 10 lojtarë.
Propozimi parashikon disa përjashtime: nëse kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq, lojtari i dëmtuar mund të qëndrojë në fushë; portierët nuk përfshihen në këtë rregull; si dhe lojtari që do të ekzekutojë penalltinë nuk detyrohet të largohet.

