Ministria e Sportit ka publikuar raportet ekskluzive për Gazetën Express mbi projektet kapitale të stadiumeve në Kosovë, duke zbardhur shpenzimet e deritanishme, vlerat totale të kontratave dhe afatet e përfundimit për disa nga projektet më të mëdha sportive në vend. Sipas dokumenteve, investimet e planifikuara arrijnë mbi 36 milionë euro, por progresi në terren mbetet i pabarabartë dhe në disa raste shqetësues.
Mitrovica – Stadiumi “Adem Jashari” Projekti më i avancuar financiarisht është ai në Mitrovicë.
Vlera totale e kontratës: 12,394,800 €
Shpenzuar deri tani: 6,097,433 €
Mbeten për investim: 6,297,366 €
Operator ekonomik: H & B – Consulting SH.P.K.
Afati aktual i përfundimit: 31.12.2026
Ministria pranon se kanë pasur vonesa për shkak të mungesës së projektit kryesor dhe lejes ndërtimore, jo për shkak të kompanisë. Shpenzimet sipas viteve kanë qenë të shpërndara gradualisht, me investime kryesore të regjistruara gjatë 2024 dhe 2025.
Suhareka – Stadiumi ende pa punime konkrete Stadiumi i Suharekës, me një kontratë mbi 10.9 milionë euro, ende nuk ka filluar punimet konkrete në terren.
Vlera e kontratës: 10,971,578 €
Shpenzuar deri tani: 942,921 €
Mbeten për investim: 10,028,657 €
Afati i planifikuar: 07.08.2028
Gjilani – Pas viteve pa stadium funksional Projektin e kryen B&M Group SHPK, dhe ndonëse ministria nuk raporton vonesa, stadiumi ka mbetur për shumë vite pa një impiant funksional.
Vlera e kontratës: 12,783,110 €
Shpenzuar deri tani: 2,417,457 €
Mbeten për investim: 10,365,652 €
Afati i planifikuar: 19.05.2027
Gjakova dhe Peja – Ende pa zhvillime konkrete Projekti i Gjakovës është kontraktuar nga komuna, por stadiumi ka probleme të mirëmbajtjes. Në Pejë, projekti është ende në fazën e vlerësimit të ofertave dhe nuk ka kontratë të nënshkruar.
Investimet totale dhe situata e përgjithshme
Totali i planifikuar për Mitrovicë, Suharekë dhe Gjilan: 36,149,488 €
Totali i shpenzuar deri tani: 9,457,812 €
Mbeten për investim: 26,691,676 €
Ministria e Sportit thekson se kontratat janë “Me çelësa në dorë” dhe monitorohen në dy nivele, pa raporte për pagesa të parregullta apo shkelje të rregullave FIDIC Silver Book.
Megjithatë, ritmi i realizimit mbetet i ngadaltë, ndërsa shumë miliona euro ende presin të materializohen në terren. Me synimin e Kosovës për të qenë gati për Lojërat Mesdhetare 2030, mbetet të shihet nëse projektet do të përshpejtohen në vitet e ardhshme.

