Fundi i sezonit në futbollin europian po hyn në fazën vendimtare dhe kjo fundjavë mund të përcaktojë kampionët në disa prej ligave më të mëdha të kontinentit. Gara për titull është në pikën kulmore dhe disa skuadra janë vetëm një hap larg festës.
Në Spanjë, Barcelona është shumë pranë titullit të 29-të kampion. Katalanasit duhet të fitojnë ndeshjen e radhës dhe njëkohësisht të shpresojnë në një hap fals të Real Madridit ndaj Espanyolit për të siguruar matematikisht trofeun.
Në Itali, Interi ka gjithçka në dorë. Me epërsinë në krye të tabelës, zikaltërit mund të shpallen kampionë që këtë javë nëse mposhtin Parmën. Madje, titulli mund të vijë edhe pa zbritur në fushë, në rast se rivalët e tyre, Napoli dhe Milani, gabojnë në ndeshjet përkatëse.
Në Turqi, Galatasaray është shumë afër një tjetër triumfi. Me diferencë të konsiderueshme pikësh ndaj Fenerbahçes, skuadra nga Stambolli mund ta mbyllë garën nëse fiton përballë Samsunsporit.
Ndërkohë në Portugali, Porto është në prag të rikthimit te titulli kampion. Një kombinim rezultatesh mund ta shpallë kampion edhe para ndeshjes së tyre, ndërsa në rast barazimi të Benficës, Portos i mjafton të mos humbasë për ta vulosur sezonin.
Kjo fundjavë pritet të sjellë emocione të mëdha dhe të kurorëzojë disa prej skuadrave më në formë në Europë.

