Mirlind Daku i ka dhënë fund pritjes së gjatë për gol, duke u rikthyer në rrjetë pas plot 161 ditësh mungesë. Sulmuesi shqiptar realizoi në minutën e 29-të për Rubin Kazanin, në ndeshjen ndaj Baltikas, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Goli erdhi pas një asistimi nga këndi, ku Daku u gjend në vendin e duhur për të dërguar topin në rrjetë dhe për të rikthyer besimin pas një periudhe të vështirë.
Ky ishte goli i dhjetë i tij në kampionat në 22 paraqitje, ndërsa rikthimi në listën e realizatorëve vjen pas një kohe të gjatë jashtë fushës për shkak të një dëmtimi.
Herën e fundit që Daku kishte shënuar ishte më 22 nëntor 2025, në një ndeshje ndaj Akhmat Groznit. Që nga ajo ditë, sulmuesi kishte kaluar një fazë të vështirë, por tashmë duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Ky rikthim është një sinjal pozitiv për Rubin Kazanin në fazën përmbyllëse të sezonit, ndërsa Daku konfirmon edhe një herë instinktin e tij prej goleadori.

