Manchester United ka siguruar matematikisht një vend në zonën e Ligës së Kampionëve pas një fitoreje spektakolare ndaj Liverpoolit në një ndeshje me pesë gola dhe emocione të mëdha në “Old Trafford”.
Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick e nisi sfidën në mënyrë të furishme, duke realizuar dy gola të shpejtë. Fillimisht ishte Cunha që shënoi në minutën e 5-të, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Sesko dyfishoi epërsinë, duke i dhënë avantazh të qartë “Djajve të Kuq”.
Megjithatë, pjesa e dytë solli një kthesë dramatike. Dy gabime në mbrojtjen e United rikthyen Liverpoolin në lojë, me golat e Szoboszlai dhe Gakpo që barazuan shifrat dhe rikthyen tensionin në stadium.
Kur gjithçka dukej e hapur, ishte talenti i ri Kobbie Mainoo që në minutën e 77-të realizoi golin vendimtar, duke shpërthyer festën në “Old Trafford” dhe duke vulosur një fitore me shumë peshë për United.
Falë këtij suksesi, Manchester United siguron matematikisht një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, e ardhmja e trajnerit Michael Carrick mbetet e paqartë, pasi drejtuesit e klubit ende nuk kanë konfirmuar nëse ai do të vazhdojë në krye të skuadrës.
Ndërkohë, një fitore e rëndësishme në këtë javë u regjistrua edhe nga Tottenham, që mposhti Aston Villën në transfertë dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë në Premier League.
Java solli kështu emocione të mëdha në elitën e futbollit anglez, me beteja të forta si për zonën Champions, ashtu edhe për mbijetesën.

