Pamje të rënda dhe tronditëse kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta nga publiku. Bëhet fjalë për një përballje sqaruese mes dy ish-banorëve të Big Brother VIP Kosova 4, Albës dhe Limit, e cila nuk është transmetuar asnjëherë në Prime apo në kanalet zyrtare të spektaklit.
Videoja e publikuar tregon një moment tejet të tensionuar mes ish-çiftit, ku situata del jashtë kontrollit. Sipas pamjeve, konflikti nis pas një deklarate fyese të Limit, i cili i drejtohet Albës me një fjalor të rëndë dhe denigrues. Reagimi i saj është i menjëhershëm: Alba shpërthen në lot dhe dëgjohet duke bërtitur me të madhe në dhomën e gjumit, duke alarmuar edhe disa nga banorët e tjerë të shtëpisë.
Të zgjuar nga zhurmat, banorë të ndryshëm ndërhyjnë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. E revoltuar dhe e lënduar emocionalisht, Alba i drejtohet Limit me tone të ashpra, duke e quajtur “të poshtër” dhe duke kërkuar shpjegime për akuzat dhe ofendimet e tij.
Nga ana tjetër, Limi vijon me replika të shkurtra dhe provokuese, pa dhënë një sqarim të qartë, çka vetëm sa e tensionon edhe më shumë situatën mes tyre.
Ajo që ka ngritur pikëpyetje të mëdha te publiku është fakti se këto pamje janë mbajtur larg syrit të publikut nga produksioni dhe nuk janë transmetuar në asnjë moment gjatë spektaklit. Publikimi i tyre në rrjete sociale ka hapur debate të forta mbi mënyrën e përzgjedhjes së materialeve që shfaqen në ekran, si dhe mbi trajtimin e situatave të ndjeshme brenda shtëpisë më të famshme në vend.

