Real Madrid do të përballet të shtunën me Celta Vigo në stadiumin “Balaídos”, në një ndeshje me peshë të madhe për garën e titullit në La Liga. Megjithatë, madrilenët udhëtojnë drejt Galicisë me një bilanc alarmues mungesash.
Trajneri Alvaro Arbeloa do të detyrohet të riformatojë pothuajse tërësisht formacionin, pasi plot 10 futbollistë nuk do të jenë në dispozicion për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve.
Goditja më e rëndë vjen nga mungesa afatgjatë e Rodrygo, i cili ka këputur ligamentet dhe pritet të mungojë për rreth 10 muaj. Probleme fizike ka edhe Kylian Mbappe, që nuk do të jetë gati për këtë përballje për shkak të shqetësimeve në gju.
Listës së të lënduarve i shtohen gjithashtu Jude Bellingham, Dani Ceballos, Eder Militao, David Alaba dhe Raul Asencio, duke e lënë skuadrën me alternativa të kufizuara në disa reparte kyçe.
Ndërkohë, për shkak të pezullimeve me kartonë, do të mungojnë edhe Dean Huijsen, Alvaro Carreras dhe Franco Mastantuono.
Kjo situatë ka shtuar shqetësimin te tifozët e “Los Blancos”, sidomos pas dy humbjeve radhazi në kampionat që i kanë kushtuar me humbjen e pozitës së parë në tabelë. Çdo hap i gabuar në Vigo mund t’i zvogëlojë ndjeshëm gjasat për rikthim në krye dhe për mbrojtjen e ambicieve për titull.

