Në prag të përballjes së madhe mes Sllovakisë dhe Kosovës në gjysmëfinalen e play-offit për Kupën e Botës, një skandal financiar ka shpërthyer brenda Federata e Futbollit e Sllovakisë, duke tronditur opinionin sportiv në vend.
Dokumente të rrjedhura dhe të publikuara nga mediumi sllovak Sport.24 kanë zbuluar se federata po përballet me një krizë të thellë financiare. Sipas tyre, SFZ e ka nisur vitin me një minus alarmant prej 6.5 milionë eurosh në llogaritë e saj, ndërsa borxhet po rëndojnë gjithnjë e më shumë situatën.

Kriza ka prekur edhe shtabin teknik të përfaqësueses. Në qendër të vëmendjes është trajneri italian Francesco Calzona, i cili drejton Sllovakinë që nga 30 gushti 2022. Dokumentet tregojnë se Calzona nuk është paguar për muajt nëntor dhe dhjetor 2025, me federatën që i detyrohet plot 140 mijë euro – shifër që konfirmon se paga e tij mujore arrin në 70 mijë euro, shumë më tepër sesa ishte raportuar më herët.
Ky zhvillim vjen në momentin më delikat të sezonit për Sllovakinë, vetëm pak ditë para duelit vendimtar me Kosovën, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi stabilitetin dhe përqendrimin e skuadrës në një ndeshje që mund të përcaktojë fatin e saj drejt Kupës së Botës.

