Turneu i madh i tenisit, Roland Garros, do të sjellë këtë vit një rritje të konsiderueshme të shpërblimeve për tenistët, me një fond total që arrin në 61.7 milionë euro.
Organizatorët kanë konfirmuar se çmimet janë rritur me 9.5% krahasuar me edicionin e kaluar, ndërsa përfitimet më të mëdha do të ndihen në fazat kualifikuese dhe raundet e para të turneut.
Fituesit e turneut në konkurrencën kryesore do të përfitojnë secili nga 2.8 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 9.8% krahasuar me vitin 2025.
Ndërkohë, shpërblimet për ndeshjet kualifikuese do të rriten me afro 13%, duke reflektuar përpjekjet për të mbështetur më shumë tenistët jashtë elitës. Edhe lojtarët që eliminohen në raundin e parë të shortit kryesor do të përfitojnë më shumë, konkretisht 87 mijë euro secili, me një rritje prej 11.5%.
Kjo rritje vjen në një kohë kur tenistët kanë shtuar presionin ndaj organizatorëve të turneve Grand Slam për shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, duke kërkuar më shumë mbështetje sidomos për lojtarët që nuk arrijnë fazat finale.
Megjithatë, edhe pse rritja është e konsiderueshme, ajo mbetet më e ulët se ajo e turneve të tjera të mëdha si US Open dhe Australian Open, ku shpërblimet janë rritur ndjeshëm në edicionet e fundit.

