Një incident i rëndë ka tronditur Italinë para derbit Torino–Juventus, pasi një tifoz 36-vjeçar ka përfunduar në koma farmakologjike pas përleshjeve pranë stadiumit.
Sipas mediave italiane, Marco Leonardo Basoccu, tifoz nga Milano, ndodhet në repartin e terapisë intensive në spitalin “Molinette” të Torinos, pasi iu nënshtrua një operacioni urgjent neurokirurgjik për shkak të një traume të rëndë në kokë.
Dyshohet se dëmtimi është shkaktuar nga goditja e një bombe gazi lotsjellës të hedhur nga policia gjatë tensioneve mes tifozëve para derbit Torino–Juventus.
Ngjarja ndodhi teksa 36-vjeçari po i afrohej stadiumit së bashku me grupin ultras “Viking” të Milanit. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për incidentin, ndërsa gjendja e tij raportohet stabile, por prognoza mbetet e rezervuar.
Një dëshmitar okular, miku i tij Mattia, ka dhënë një deklaratë tronditëse për mediat italiane.
“Pati përleshje mes tifozëve të Juventusit dhe Torinos, por përdorimi i gazit lotsjellës ishte i tepruar. E pashë policinë kur e goditi Marco. Ka qëlluar nga 10-20 metra larg. Ai ra menjëherë në tokë”, deklaroi ai.
Sipas dëshmitarit, ambulanca ka mbërritur me vonesë dhe tifozi është dërguar në spital më shumë se një orë pas incidentit.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në Itali, ndërsa opinionit publik po kërkon sqarime për mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit para derbit të madh të Serie A.

