Pep Guardiola ka folur për herë të parë për largimin e tij nga Manchester City, duke dhënë edhe mesazhin e qartë për pasardhësin që do të marrë drejtimin e klubit anglez pas epokës së tij 10-vjeçare.
Trajneri spanjoll deklaroi se njeriu që do ta zëvendësojë nuk duhet të përpiqet ta kopjojë, por të ndërtojë identitetin e vet në stol.
“Trajneri i ardhshëm duhet të jetë vetvetja, unik dhe klubi duhet ta mbështesë pa kushte, ashtu siç bëri me mua”, deklaroi Guardiola.
Ai shtoi se “copy-paste” nuk funksionon në futboll dhe se çdo trajner duhet të ketë personalitetin dhe mënyrën e vet të punës.
“Nuk funksionon të bësh të njëjtat gjëra. Duhet të jesh natyral dhe vetvetja. Secili është ndërtuar ndryshe”, theksoi spanjolli.
Në javët e fundit, emri i Enzo Maresca është përmendur gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Manchester City pas largimit të Guardiolës.
Pavarësisht ndarjes nga klubi, Guardiola u shpreh i bindur se City do të vazhdojë të mbetet në majën e futbollit anglez dhe europian edhe në të ardhmen.

