KF Tirana ka bërë një lëvizje të fortë në pankinë, duke rikthyer një emër që ka lënë gjurmë në historinë e klubit. Orges Shehi është trajneri i ri i bardhebluve, duke marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës pas largimit të Ardian Nuhiut.
Pas ndarjes nga FC Ballkani, tekniku 48-vjeçar qëndroi disa muaj pushim, ndërsa tashmë rikthehet në elitën e futbollit shqiptar për të udhëhequr sërish Tiranën në një moment të rëndësishëm të sezonit.
Shehi kthehet si një ish-kampion, pasi në sezonin 2021/2022 e drejtoi Tiranën drejt titullit kampion, duke fituar zemrat e tifozëve bardheblu dhe duke ndërtuar një identitet të fortë e konkurrues.
NJOFTIMI:
Klubi i Futbollit Tirana njofton rikthimin e Orges Shehit në krye të pankinës bardheblu. Trajneri që na udhëhoqi drejt një titulli kampion dhe trofeve të tjerë kombëtarë rikthehet për të drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni, me të njëjtin pasion, ambicie dhe mentalitet fitues.
Historia jonë e përbashkët flet vetë:
Titulli kampion Superkupa e Shqipërisë
Një identitet i fortë bardheblu
Suksese në këtë kapitull të ri, Shehi!

