Situata e Kylian Mbappé te Real Madrid po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, teksa kësaj radhe reagimi i tifozëve ka marrë përmasa të jashtëzakonshme.
“Madridistat” kanë nisur një peticion online në platformën X, duke kërkuar largimin e sulmuesit francez nga skuadra. Ky veprim vjen si shenjë e pakënaqësisë për situatën aktuale të ekipit dhe paraqitjet që nuk kanë përmbushur pritshmëritë.
Fushata është përhapur me shpejtësi të madhe dhe, sipas raportimeve, mbi 100 mijë nënshkrime janë mbledhur në më pak se dy orë, duke reflektuar qartë frustrimin e tifozëve.
Shumë prej tyre kanë shprehur zhgënjimin për formën e fundit të ekipit dhe frikën se, pa ndryshime të rëndësishme, klubi mund të përballet me një tjetër sezon pa trofe.
Në rrjetet sociale nuk kanë munguar as reagimet me ironi dhe humor, por mesazhi kryesor mbetet i njëjtë: durimi i tifozëve duket se ka arritur në limit.
Megjithëse një peticion i tillë nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e klubit, ai pasqyron qartë klimën e tensionuar që po rrethon Mbappen në këtë moment.

