Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vlerësuar se garat në kampionatet vendore po zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe pa cenim të integritetit.
Në njoftimin zyrtar, FFK ka theksuar se kampionati vendor ka shënuar progres të dukshëm, falë përmirësimit të infrastrukturës, rritjes së sigurisë shëndetësore për futbollistët dhe zhvillimit ekonomik të klubeve.
Megjithatë, duke pranuar se si në çdo kampionat ekzistojnë dyshime dhe akuza për kurdisje të ndeshjeve, Federata ka dalë me një qëndrim të qartë.
“U konstatua se integriteti i garës nuk është cenuar, pavarësisht zërave të izoluar për manipulim të ndeshjeve”, thuhet në deklaratë.
FFK ka bërë të ditur gjithashtu se të gjitha ndeshjet monitorohen nga mekanizmat përkatës vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë fakte konkrete t’i paraqesin ato në organet kompetente të Federatës ose në institucionet shtetërore.

