Ernest Muçi u shfaq protagonist absolut në përballjen që Trabzonspor po zhvillon në transfertë ndaj Samsunsporit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të Superligës turke.
Sfida është momentalisht në avantazh 0-1 për Trabzonsporin, ndërsa goli i epërsisë erdhi falë një aksioni të ndërtuar mjeshtërisht nga sulmuesi i Kombëtares shqiptare. Në minutën e 23-të, Muçi dërgoi një harkim perfekt me të majtën në zonë, ku sulmuesi Onuachu u tregua i saktë duke e dërguar topin në rrjetë.
Ky ishte asisti i pestë sezonal për Muçin, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës nga Trabzoni. Përveç asistimeve, ish-sulmuesi i Tiranës ka realizuar edhe 11 gola, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe rolin kyç në repartin ofensiv të ekipit të tij.
Paraqitjet e Muçit po tërheqin vëmendje të madhe në Superligën turke, teksa 23-vjeçari vazhdon të dhurojë spektakël dhe të “ngrejë peshë” stadiumet ku luan.

