Një çështje e rëndë ka tronditur botën e automobilizmit, pasi piloti australian Joey Mawson po përballet me akuza për përdhunim në Zvicër.
Sipas mediave ndërkombëtare, ngjarja e pretenduar ka ndodhur në vitin 2019 në rezidencën e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, pranë Liqenit të Gjenevës.

Sipas dosjes së prokurorisë, Mawson akuzohet se ka kryer dy herë marrëdhënie seksuale pa pëlqim me një infermiere që punonte për familjen Schumacher, ndërsa ajo ishte pa ndjenja pas një feste private. Gruaja ka deklaruar se është zgjuar më vonë në shtrat dhe ka vërejtur shenja gjaku në çarçafë.
Piloti australian i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke pretenduar se marrëdhënia ka qenë konsensuale. Ai ka deklaruar se njiheshin prej kohësh dhe se mes tyre kishte pasur afrimitet edhe më herët, pretendime që janë mohuar nga gruaja.
Sipas raportimeve nga gjykata e Nyonit në Zvicër, asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk është i përfshirë në këtë çështje dhe nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes së pretenduar.
Në dokumentet e prokurorisë thuhet se infermierja ishte ndier keq pas konsumimit të pijeve gjatë mbrëmjes dhe ishte dërguar në dhomë nga kolegët. Më pas, sipas akuzës, Mawson është kthyer në dhomë dhe ka kryer aktin seksual ndërsa ajo ishte pa vetëdije.
Procesi gjyqësor ndaj pilotit kishte nisur edhe më herët, por ishte shtyrë pasi ai nuk ishte paraqitur në një nga seancat. Mbrojtja ka argumentuar se mungesa e tij ishte në përputhje me legjislacionin zviceran.
Joey Mawson njihej prej vitesh me Mick Schumacher, djalin e Michael Schumacherit, me të cilin kishte garuar në kategoritë e moshave të reja dhe konsiderohej një talent premtues në rrugën drejt Formula 1.

