Raporti mes Mateos dhe Brikenës vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në publik pas zhvillimeve të fundit në “Big Brother VIP”. Lidhur me këtë çështje, ka reaguar për herë të parë edhe familja e Mateos, përmes motrës së tij, Keisi.
E ftuar ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, Keisi ka folur për rrugëtimin e vëllait të saj në reality show, si dhe për situatën e krijuar pas rrëfimit që Mateo bëri brenda shtëpisë në lidhje me marrëdhënien e tij me Brikenën.
Ajo ka komentuar gjithashtu reagimin e familjes së Brikenës, duke theksuar se e kupton qëndrimin e tyre, por ka sqaruar se historia i përket të dy palëve dhe se Mateo ka pasur të drejtën të shprehej, veçanërisht në momentin kur ndaj tij janë ngritur akuza publike.
“Reagimi i familjes së Brikenës nuk na ka shqetësuar fare. Ata kanë të drejtë të bëjnë reagimet e tyre sepse Brikena është vajza e tyre. Por kjo është një histori që u takon të dyve dhe kanë të drejtë ta flasin të dy. Është edhe e shkuara e Mateos,” u shpreh Keisi.
Sipas saj, Mateo është ndjerë i detyruar të japë më shumë detaje, pasi po akuzohej publikisht si mashtrues, ndërkohë që pala tjetër nuk po reagonte.
“Ai e ka thënë disa herë që i takonte Brikenës ta tregonte historinë, por u ndje i detyruar përderisa ajo nuk po fliste. Nuk ngrihet dinjiteti duke drejtuar gishtin ndaj dikujt tjetër dhe duke e quajtur mashtrues,” tha ajo ndër të tjera.
Keisi theksoi gjithashtu se nuk ka pasur asnjë kontakt me familjarët e Brikenës, duke shtuar se nëse ata do të ishin ndjerë të kërcënuar, do të kishin reaguar drejtpërdrejt.
“Raporti i Brikenës dhe Mateos i takon vetëm atyre. Si do të zhvillohet më tej, mbetet për t’u parë,” përfundoi ajo.

