Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori jo vetëm në futboll, por edhe jashtë fushës së blertë. Ylli argjentinas është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Princesa Asturias”, një mirënjohje që nderon jo vetëm arritjet sportive, por edhe kontributin e tij humanitar ndër vite.
Edhe pse shumica e veprimeve bamirëse të Messit nuk bëhen publike, ndikimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Përmes fondacionit të tij dhe iniciativave personale, ai ka financuar projekte të rëndësishme në shëndetësi, arsim dhe ndihma humanitare në vende të ndryshme të botës.
Një nga kontributet më të mëdha ka qenë mbështetja për ndërtimin dhe zhvillimin e qendrës pediatrike për trajtimin e kancerit në Barcelonë, ku Messi ka dhuruar miliona euro. Gjatë pandemisë COVID-19, ai kontribuoi me rreth 1 milion euro për institucionet shëndetësore në Spanjë dhe Argjentinë.
Po ashtu, futbollisti ndihmoi viktimat e përmbytjeve në Valencia me një donacion prej 1 milion eurosh, ndërsa fondacioni i tij ka financuar projekte për furnizimin me ujë të pijshëm dhe ushqim në Kenia, si dhe iniciativa të tjera humanitare në Argjentinë dhe vende të ndryshme të botës.
Që nga viti 2010, Messi është ambasador i UNICEF, duke përdorur ndikimin e tij global për të mbështetur fëmijët në nevojë.
Pikërisht këto veprime e kanë bërë fituesin e tetë herë të Topit të Artë jo vetëm një ikonë të futbollit, por edhe një nga sportistët më të vlerësuar për kontributin e tij në shoqëri.

