Në Bruksel është hedhur shorti i edicionit të ri të UEFA Nations League, ku Kombëtarja shqiptare ka mësuar kundërshtarët e saj në Grupin C1. Kuqezinjtë do të përballen me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon, në një grup që në letër duket i përballueshëm, me vetëm një kundërshtar potencialisht më të fortë.

Finlanda konsiderohet si rivali kryesor i Shqipërisë në këtë grup, ndërsa Bjellorusia dhe San Marino shihen si skuadra ndaj të cilave kuqezinjtë synojnë pikë të plota për të siguruar kreun dhe objektivin e promovimit.
Rrugëtimi i Shqipërisë në këtë edicion të Nations League do të nisë në shtator 2026. Ndeshja e parë e fazës së grupeve do të zhvillohet në periudhën 24-26 shtator, ndërsa takimi i dytë është programuar për datat 27-29 shtator.
Sfida e tretë e grupit do të luhet nga 30 shtatori deri më 3 tetor, ndërsa ndeshja e katërt në periudhën 4-6 tetor. Dy përballjet e fundit janë planifikuar për muajin nëntor, përkatësisht nga 12-14 nëntor dhe 15-17 nëntor.
Programi i plotë me datat dhe oraret e sakta të ndeshjeve do të bëhet i ditur në ditët në vijim.

