Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, do të përballet me Austrinë – përfaqësuesen që e ka drejtuar më parë me shumë sukses. Trajneri gjerman ishte në krye të Austrisë nga viti 2017 deri në vitin 2022, periudhë gjatë së cilës arriti ta kualifikojë skuadrën në Kampionatin Evropian 2020, turne që u zhvillua në 11 shtete të ndryshme.
Që nga viti 2024, Foda është emëruar selektor i Kosovës, duke sjellë një frymë të re dhe rezultate të rëndësishme. Nën drejtimin e tij, Kosova siguroi promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe arriti të futet në plejofin për Kupën e Botës 2026.
Ndërkohë, “Dardanët” do të përballen me Sllovakinë në gjysmëfinale më 26 mars në Bratislavë, në përpjekje për të siguruar pjesëmarrjen në turneun e madh që këtë verë zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përballja me Austrinë pritet të jetë një sfidë e veçantë dhe emocionale për Fodën, i cili rikthehet përballë ish-skuadrës së tij, kësaj radhe në anën tjetër të bankinës.
