Futboll Kombëtarja Sport

Tre ditë mes bombardimeve në Iran, Ashkovski falënderon Asanin për shpëtimin

Një situatë dramatike ka përfshirë dy futbollistë nga Ballkani, të cilët aktivizohen në kampionatin iranian, pas shpërthimit të konfliktit në vend.

Futbollisti nga Maqedonia e Veriut, Stefan Ashkovski, ka rrëfyer momentet e vështira që përjetoi në Iran dhe i ka shprehur mirënjohje publike sulmuesit shqiptar Jasir Asani, për ndihmën vendimtare në largimin e tij nga zona e rrezikut.

Ashkovski është pjesë e Mes Rafsanjan F.C., ndërsa Asani aktivizohet te gjiganti iranian Esteghlal F.C.. Dy futbollistët njihen prej vitesh, pasi kanë qenë bashkë në akademinë e FK Vardar që në moshë të re.

Sipas rrëfimit të Ashkovskit për mediat maqedonase, situata u përkeqësua menjëherë pas nisjes së sulmeve. Ai udhëtoi rreth 15 orë nga Rafsanxhani drejt Teheranit dhe më pas drejt kufirit, për t’u larguar me aeroplan në drejtim të Stambollit.

“Për tre ditë nuk kisha ngrënë e as pirë. Gjithçka ishte mbyllur, kishte sulme kudo. Bombat fluturonin mbi kokë dhe e vetmja gjë që mendoja ishte të largohesha sa më shpejt”, ka deklaruar ai.

Ndihma e Asanit rezultoi vendimtare. Falë statusit të tij si një nga lojtarët më të njohur në Iran, ai kishte në dispozicion shoferë të klubit 24 orë në ditë dhe arriti t’i sigurojë transport të sigurt bashkëlojtarit të dikurshëm.

“Ishte shumë e vështirë të lëvizje nëpër Iran në ato momente. Jasiri më ndihmoi me shoferin e tij dhe arrita të kaloj drejt kufirit”, shtoi Ashkovski, duke theksuar se situata u komplikua edhe për shkak të problemeve me dokumentacionin e daljes.

Pas tri ditësh pasigurie, dy futbollistët arritën të largohen nga vendi. Ashkovski ka bërë të ditur se tashmë synon të rikthehet pranë familjes dhe të pushojë, pas përvojës së rëndë që përjetoi në mes të një konflikti të armatosur.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së