FIFA është përfshirë në një tjetër polemikë të madhe, këtë herë për çmimet shumë të larta të biletave të Kupës së Botës 2026.
Sipas mediave amerikane, organizata drejtuese e futbollit botëror po akuzohet për krijimin e një mungese artificiale të biletave, me qëllim rritjen e çmimeve për tifozët.
Për këtë çështje, shtetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë nisur hetime zyrtare ndaj FIFA-s, ndërsa presioni është shtuar edhe në nivel politik.
Kongresistja amerikane Sydney Kamlager-Dove ka kërkuar që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të paraqitet para Kongresit Amerikan për të dhënë shpjegime. Ajo e ka cilësuar politikën e çmimeve si “zhvatje totale”, duke kërkuar më shumë transparencë për mënyrën e shitjes së biletave.
Pak ditë para nisjes së Botërorit, çmimet kanë arritur nivele shumë të larta. Sipas raportimeve, bileta më e lirë për ndeshjen Angli – Kroaci kushton rreth 620 euro, ndërsa ato më të shtrenjtat shkojnë deri në 1.700 euro.
Hetimet po fokusohen edhe te sistemi i çmimeve dinamike, për të cilin autoritetet amerikane pretendojnë se nuk është shpjeguar qartë për tifozët. Në qendër të vëmendjes janë edhe çmimet për finalen e Botërorit, ku biletat që fillimisht kushtonin rreth 5.800 euro kanë arritur deri në afro 9.500 euro.
Nga ana tjetër, FIFA ka mbrojtur politikën e saj të shitjes së biletave. Infantino ka deklaruar se të ardhurat e pritshme nga turneu do të investohen në zhvillimin e futbollit në mbarë botën, ndërsa ka argumentuar se çmimet e larta janë të zakonshme për eventet e mëdha sportive në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, kritikat ndaj FIFA-s po shtohen, me tifozë dhe politikanë amerikanë që kërkojnë çmime më të përballueshme dhe transparencë më të madhe për Botërorin 2026.

