Raportimet e fundit që vijnë nga Turqia kanë ngritur interesim të madh rreth së ardhmes së Ernest Muçit. Sipas medias turke Duhuliye, disa skautë të dërguar nga dy klube të Premierligës angleze do të jenë të pranishëm në ndeshjen mes Trabzonsporit dhe Fenerbahçes, e cila zhvillohet të shtunën.
Vëmendja e tyre lidhet drejtpërdrejt me formën e shkëlqyer të sulmuesit kuqezi. Paraqitjet e vazhdueshme dhe efektiviteti i Muçit kanë bërë që emri i tij të lakohet edhe jashtë Turqisë, duke zgjuar interes nga kampionati anglez.
Megjithëse nuk janë zbuluar emrat e klubeve angleze, sinjalet nga Turqia janë të qarta se Muçi po ndiqet seriozisht dhe se një transferim i mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës mbetet një opsion real.
Në sezonin aktual, 24-vjeçari ka regjistruar 12 gola dhe 2 asistime në 21 paraqitje, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të Trabzonsporit.
Vlen të theksohet se kartoni i Ernest Muçit i përket ende Beşiktaşit, ndërsa te Trabzonspor ai po luan në formë huazimi deri në verën e vitit 2026.

