Bayern Munich ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, pasi ka mposhtur RB Leipzigun me rezultat 2-0.
Takimi nisi më mirë për Leipzigun, të cilët shënuan në minutën e katërt me Christoph Baumgartner, pas një topi të ardhur nga krahët. Megjithatë, pas ndërhyrjes së sistemit VAR, arbitri Daniel Siebert anuloi golin për pozicion jashtë loje në fazën e ndërtimit të aksionit.
Pas këtij momenti, Bayern mori kontrollin e lojës dhe krijoi disa raste të rrezikshme. Portieri i Leipzigut, Maarten Vandevoordt, u dallua me disa pritje vendimtare, duke mbajtur rezultatin të pandryshuar deri në fund të pjesës së parë.
Zhbllokimi i ndeshjes erdhi në minutën e 64-t, kur Bayern fitoi penallti, ndërsa Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 1-0.
Vetëm tri minuta më vonë, bavarezët shënuan edhe golin e dytë. Luis Díaz, pas një asistimi të bukur nga Michael Olise, realizoi me qetësi për 2-0, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin.
Në pjesën e mbetur të ndeshjes, Bayern administroi epërsinë, ndërsa Leipzig u përpoq të reagojë, por pa arritur të rrezikojë seriozisht portën e Manuel Neuer.
Me këtë fitore, Bayern Munich vazhdon rrugëtimin në Kupën e Gjermanisë dhe pret shortin e fazës gjysmëfinale.

