Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mbahen më 7 qershor në Kosovë, çështja e furnizimit të mundshëm me gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga SHBA-ja ka marrë vëmendje të shtuar
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i papërfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mbahen më 7 qershor në Kosovë, çështja e furnizimit të mundshëm me gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga SHBA-ja ka marrë vëmendje të shtuar.
Vëzhguesit e zhvillimeve në Kosovë konsiderojnë se vendi është vonuar në këtë drejtim, dhe se furnizimi eventual me gazin e lëngshëm amerikan i krijon vendit siguri energjetike, e cila e përforcon edhe sigurinë kombëtare.
Sipas tyre, për t’u bërë pjesë e zinxhirit të furnizimit me LNG nga SHBA-ja, kërkohet vullnet politik në Kosovë. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet e vë më shumë theksin tek interesimi për “gazifikimin e qymyrit vendor”, partitë e deritashme opozitare i thonë qartazi “po” gazit të lëngshëm amerikan.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga LVV-ja, refuzoi një projekt të mbështetur nga SHBA-ja, përmes Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për t’u lidhur me rrjetin rajonal të gazit natyror, përmes Maqedonisë së Veriut. Asokohe, autoritetet qeveritare arsyetuan se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë” për tranzicionin energjetik të vendit.

