Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara ka mposhtur Brazilin me rezultat 1:0 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Fortaleza, por takimi u dominua nga incidentet dhe kartonët e kuq.
Gjithçka nisi në minutën e 77-të, kur u përjashtua përzgjedhësi i Brazilit, Arthur Elias. Bashkë me të, gjyqtarja spanjolle Paola Cebollada Lopez ndëshkoi me karton të kuq edhe tre anëtarë të stafit teknik vendas.
Tensionet u rritën në minutat shtesë, kur Bia Zaneratto u përjashtua në minutën e 90+4 pas një përplasjeje me kundërshtaren. Vetëm pesë minuta më vonë, Tarciane mori karton të kuq për goditje me bërryl ndaj Sophia Wilson.
Pas vërshëllimës përfundimtare, edhe Kerolin dhe Ludmila u ndëshkuan me kartonë të kuq, duke e çuar në tetë numrin total të përjashtimeve për ekipin brazilian.
“Pavarësisht gjithçkaje, kam shumë respekt për Brazilin dhe kjo ishte një përvojë që nuk do ta harroj kurrë”, deklaroi trajnerja e SHBA-së, Emma Hayes.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Brazili në portën e vet, kur Isabela realizoi autogol në minutën e 63-të.
Brazili do të jetë nikoqir i FIFA Women’s World Cup 2027, që zhvillohet vitin e ardhshëm.

