Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me banorët e Zvërnecit për të diskutuar mbi situatën e pronave. Banorët, nga ana e tyre, pretenduan se pronat e tyre janë në gjykata dhe presin vendimin e gjykatës, jo se janë kundër zhvillimit. Nga ana tjetër, Rama theksoi se tashmë kjo çështje është mes pronarit që ka dokumentet dhe investitorit. Sipas tij, fati i madh i banorëve është se personi që ka shitur tokat po hetohet nga SPAK dhe transaksionet janë bllokuar.

Rama theksoi se nëse prona fitohet nga banorët, atëherë ata do të paguhen me paratë që i janë bllokuar shitësit, ndërsa investitori vijon punën. Kryeministri deklaroi më tej se çështjet e pronësisë në Shqipëri bazohen vetëm në dokumente ligjore dhe se qeveria nuk ka kompetencë t’i ndryshojë ato, pasi kjo është detyrë e gjykatave. Sipas tij, problemet me pronat pas viteve ’90 janë të shumta dhe zgjidhja e tyre kërkon proces gjyqësor, jo ndërhyrje të qeverisë. Para qytetarëve, Rama theksoi se nuk ka për të negociuar me askend në lidhje me projektin për Zvërnecin, ndërkohë shtoi se nuk ka frikë që të përballet me qytetarët. Sa i përket projektit në Zvërnec, Kryeministri tha se edhe 500 mijë banorë të dalin në shesh nuk mjaftojnë, pasi më shumë se 800 mijë persona e kanë votuar atë dhe Partinë Socialiste.

