Replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe palës iraniane kanë hyrë në një tjetër fazë, ku kreu i qeverisë shqiptare i ka drejtuar atyre gishtin si organizatorët e protestave në Shqipëri, ndërkohë që Teheran i është kundërpërgjigjur duke hedhur poshtë këto akuza.
Pas akuzave që Rama i bëri Teheranit për ndërhyrje përmes propagandës dhe fushatave dezinformuese, erdhi dhe reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei i cili i bëri thirrje kreut të qeverisë shqiptare që të përballet me kritikat e qytetarëve shqiptarë.

“Qetësohuni, z. kryeministër @ediramaal . Ishit JU, zotëri, që e nisët këtë. Pra… duhet të “përballeni me muzikën”! Do të ishte më e mençur të tregonit pak respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj, si një komb me kulturë të pasur dhe histori krenare. Ata janë mjaftueshëm të mprehtë për gënjeshtrat.
Nëse zgjidhni të shisni sovranitetin tuaj kombëtar, ky është vendimi juaj. Nuk na detyroheni një shpjegim. Por kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, ju lutem mos i përdorni të tjerët si një kurban të përshtatshëm për t’i shpëtuar llogaridhënies. Në vend që të shkruani një pamflet të gjatë të mbushur me akuza të pabaza kundër Iranit, merrni një moment për të dëgjuar popullin tuaj që po brohoret në rrugë: “Jo korrupsionit!” “Duam të drejtë!” “Rama ik!”, shkruane në reagimin e tij zëdhënësi i Iranit, ndërkohë që përgjigja e kryeministrit Rama nuk ka vonuar.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ironizoi përfshirjen e autoriteteve iraniane në debatin publik shqiptar, duke e cilësuar reagimin e Teheranit si një mbështetje të hapur për protestën.
Rama ka rikthyer sërish në vëmendje edhe sulmet kibernetike që Shqipëria ia atribuoi Iranit, çështje që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

