EUROPA- Pas pandemisë Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka forcuar dhe thelluar kërkimin shkencor në drejtim të patogjenëve me rrezik të lartë në shpërthimin e një pandemie në të ardhmen.
Botimi i posaçëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “Prioritizimi i patogjenëve: Një kuadër shkencor për gatishmërinë në kërkimin e epidemive dhe pandemive” saktëson patogjenët, por edhe strategjinë globale se si duhet të mbrohet njerëzimi nga kërcënimet e ardhshme.
OBSH-ja e zhvendosi fokusin nga menaxhimi i krizave te parandalimi strategjik. Kjo do të thotë se duke studiuar një “prototip” me rrezik të lartë, shkencëtarët ndërtojnë një mburojë për të gjithë grupin e patogjenëve.
Viruset me rrezik të lartë global
OBSH-ja ka identifikuar familjet virale me rrezikshmërinë më të lartë për shkak të karakteristikave të tyre vdekjeprurëse dhe mungesës së mbrojtjes mjekësore.
OBSH-ja veçon virusin Lassa, duke vënë në dukje se ka “mungesë të kundërmasave mjekësore (MCM)” dhe se për virusin Lujo, shkalla e vdekshmërisë arrin në “80% në të vetmin shpërthim të njohur”. Virusi Lassa është një patogjen që shkakton Ethet Hemorragjike Lassa, një sëmundje virale akute dhe shpeshherë e rëndë.
Ebola
Kërkimi i OBSH-së vë në dukje se Ebola mbetet një nga patogjenët më agresivë dhe më të frikshëm në historinë e mjekësisë moderne. Ebola shkakton një sëmundje akute dhe të rëndë, e cila nëse nuk trajtohet ka një shkallë vdekshmërie që luhatet nga 50% deri në 90%, në varësi të variantit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor. Virusi nuk transmetohet përmes ajrit (si gripi apo Covid-19), por përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të një personi të infektuar apo të vdekur.

