Franca është përfshirë nga zemërimi dhe debatet publike pasi doli në pah se i dyshuari kryesor në rastin e zhdukjes së një vajze 11-vjeçare ishte akuzuar disa herë më parë për abuzime seksuale ndaj të miturve, pa u ndërmarrë masa të efektshme nga autoritetet.
Një trup u gjet të enjten në zonën ku po zhvilloheshin kërkimet intensive, ndërsa identifikimi zyrtar ishte ende në proces, sipas një burimi të informuar.
Vajza, e identifikuar vetëm me emrin Lyhanna, rezulton e zhdukur që nga e premtja e kaluar pranë fshatit Fleurance në jugperëndim të Francës. Ajo u pa për herë të fundit duke hipur në automjetin e një burri 41-vjeçar, baba i dy fëmijëve, i cili është ndaluar nga autoritetet si i dyshuari kryesor.
Për ditë me radhë, dhjetëra policë dhe vullnetarë zhvilluan operacione kërkimi në zonë. Të enjten, rreth 170 efektivë policie, të mbështetur edhe nga vullnetarë mbi kuaj dhe ekipe zhytësish profesionistë, vijuan kërkimet në fshatrat përreth Fleurance dhe në zonën e Urdens.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta pasi prokuroria bëri të ditur se ndaj të dyshuarit kanë ekzistuar disa kallëzime të mëparshme për krime seksuale ndaj të miturve. Prokurorja Clémence Meyer deklaroi se një sërë ankesash ishin depozituar ndër vite kundër tij.
Në dhjetor të vitit 2017, një nënë raportoi se vajza e saj 17-vjeçare kishte qenë në një lidhje me këtë burrë. Çështja u mbyll në vitin 2018 pasi vajza deklaroi se kishte dhënë pëlqimin.
Më pas, në janar të vitit 2022, ndaj tij u paraqit një padi për përdhunimin e një vajze nën moshën 15 vjeç, ngjarje që dyshohej se kishte ndodhur në vitin 2020 në banesën e tij në Francën jugperëndimore. Dosja iu transferua prokurorisë lokale, por u pushua në vitin 2024 për mungesë provash.

