Ish-kryeministri Sali Berisha mund të thuhet tani me bindje të plotë se është shprehur hapur në mbështetje të protestave të organizuara nga qytetarët.
Teksa protesta dhe revolta qytetare kanë hyrë në ditën e 11-të, kreu i Partisë Demokratike i cili në fillimet e protestave zgjodhi të mbante një qëndrim në mbështetje të ndërtimit të resortit në Zvernec dhe nuk reagoi ndaj protestave të qytetarëve, tashmë është rreshtuar publikisht në krah të tyre. Madje ai u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që t’i bashkohen turmës protestuese, por pa simbolet e partive politike.
Sipas Berishës, protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe rinor, duke u distancuar nga simbolikat partiake. Ai ka theksuar se çdo demokrat, simpatizant apo anëtar i Partisë Demokratike duhet të jetë pjesë e saj, duke e konsideruar pjesëmarrjen si detyrim qytetar.

“Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet që gjethet të na pengojnë me pa madhështinë e trungut. Dënoj me forcën më të madhe etiketimet që u bën Edi Rama protestuesve duke shfrytëzuar dhe keqinterpretuar thirrjet e tyre. T’i quash nazistë ata apo pasues të Hitlerit është një armiqësi e egër e paimagjinueshme”, tha Sali Berisha.
Protesta e cila është pagëzuar nga organizatorët si “Revolucioni i flamengove”, paraqitet si një lëvizje e nisur dhe e drejtuar nga vetë qytetarët, pa një “kokë” të vetme udhëheqëse. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit në radhët e protestuesve janë vërejtur edhe figura të ndryshme politike.
Ndër to janë edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët mesa duket i janë bashkuar protestës pasi lideri i tyre ka dhënë “dritën jeshile”.

