Drenica është kampionja e re e Kosovës në futsall, pasi e mposhti Prishtinën 01 edhe në ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit.
Skuadra nga Skenderaj triumfoi të martën mbrëma me rezultat 7:4 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në një atmosferë të zjarrtë dhe në praninë e një numri të madh shikuesish.
Drenica kishte fituar edhe ndeshjen e parë finale me rezultat 9:7, duke e mbyllur serinë me dy fitore dhe duke siguruar titullin e kampionit të Kosovës.
Me këtë sukses, skuadra nga Skenderaj kurorëzon një sezon të shkëlqyer, ndërsa Prishtina 01 mbetet me trofeun e Kupës së Kosovës, të fituar në fund të muajit prill pas triumfit në finale ndaj Liqenit të Drenasit.
Drenica rikthehet kështu në majën e futsallit kosovar, duke e mbyllur sezonin me titullin më të rëndësishëm në vend.

