Në qendrat komunale të numërimit ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në mbi 80 për qind të vendvotimeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka procesuar të dhënat 2020 vendvotime, nga 2498 sa janë gjithsej.
Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 43 për qind, Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me nën 18 për qind e Aleanca e katërta me 7 për qind. Në këto të dhëna nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës, të cilat ende nuk janë numëruar.
Sipas formulës D’Hondt, në bazë të këtyre rezultateve, LVV-ja pritet të ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 e Aleanca 8.
Sipas KQZ-së të enjten në orën 16:00 në Qendrën e numërimit dhe rezultateve nis procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike.
Votimi fizik jashtë Kosovës është zhvilluar më 6 qershor në 30 përfaqësitë diplomatike. Nga 27,724 votues të regjistruar kanë votuar rreth 81% e tyre apo 22,414.

