Aktualitet Lajme Politike

“Më pëlqen inflacioni”, deklarata e Trump shkakton stuhi reagimesh në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime të forta pasi deklaroi se “i pëlqen inflacioni”, në një kohë kur çmimet në SHBA janë rritur me ritmin më të lartë të tre viteve të fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës, inflacioni arriti në 4.2% gjatë muajit maj, nga 3.8% që ishte në prill. Rritja lidhet kryesisht me shtrenjtimin e energjisë dhe karburanteve pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Shifrat ishin të shkëlqyera. E dini çfarë më pëlqen vërtet? Më pëlqen inflacioni”, deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Më vonë, presidenti sqaroi se komentet e tij ishin nxjerrë nga konteksti dhe se kishte dashur të theksonte se inflacioni ishte më i ulët nga sa prisnin ekonomistët, pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme.

Trump parashikoi se çmimet e energjisë do të bien ndjeshëm sapo të përfundojë konflikti me Iranin. Ai tha se ulja e çmimit të naftës do të ndikojë drejtpërdrejt në frenimin e inflacionit. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se faturat e energjisë në SHBA janë rritur me afro 25% krahasuar me një vit më parë, ndërsa çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 4.15 dollarë për galon.

Ekspertët paralajmërojnë se inflacioni i lartë mund ta vendosë Rezervën Federale përballë presionit për të rritur normat e interesit në muajt e ardhshëm, një lëvizje që do të rrisë kostot e huamarrjes për familjet dhe bizneset.

Deklarata e Trump u kritikua menjëherë nga demokratët. Lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, e akuzoi presidentin se po tregon mungesë ndjeshmërie ndaj vështirësive ekonomike të amerikanëve.

Inflacioni mbetet një nga sfidat kryesore për administratën Trump, ndërsa ekonomia dhe kostoja e jetesës pritet të jenë temat kryesore në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit në SHBA.

You may also like

Lajme

Britaniku bleu tankun për 45 mijë euro duke mos e ditur se brenda kishte diçka më të çmuar – ar në vlerë prej 2.5 milionë

Një burrë që bleu një tank u habit kur zbuloi se kishte blerë më shumë sesa kishte pritur fillimisht. Në
Lajme

Nëntë veteranët e Kuvendit, u zgjodhën deputetë për të shtatën herë

Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur