Ish-kryeministri Sali Berisha është pritur me duartrokitje nga deputetët e Partisë Demokratike në sallën e Kuvendit, pas lajmit që po qarkullon që prej mëngjesit të kësaj të enjteje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë hequr statusin “non grata”.
Menjëherë pas hyrjes së tij në sallë, deputetët demokratë janë ngritur në këmbë dhe e kanë përshëndetur me duartrokitje.
“Unë erdha, u krye”, iu drejtua shkurtimisht Berisha deputetëve socialistë në sallë.
Që prej orëve të para të mëngjesit, në qarqet politike dhe mediatike po qarkullojnë informacione se autoritetet amerikane kanë marrë vendim për heqjen e sanksionit ndaj Berishës.
Deri më tani lajmi është konfirmuar nga gazetari Çim Peka dhe burime pranë selisë blu, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

