Drenica është vetëm një fitore larg titullit të kampionit në Superligën e futsallit, ndërsa Prishtina 01 synon ta mbajë të hapur garën për trofe.
Dy skuadrat do të përballen sonte nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të serisë finale të “play-off”-it.
Drenica vjen në këtë sfidë me epërsi 1:0 në seri, pasi e fitoi ndeshjen e parë dhe tashmë ka mundësinë ta mbyllë finalen me një tjetër fitore, duke u shpallur kampione e Kosovës.
Në anën tjetër, Prishtina 01 do të kërkojë fitore para tifozëve të saj për ta barazuar serinë në 1:1 dhe për ta siguruar ndeshjen e tretë vendimtare, ku do të përcaktohej kampioni i këtij edicioni.
Pritet një atmosferë e zjarrtë në tribuna dhe një duel me rivalitet të madh në parket, pasi të dy skuadrat synojnë trofeun më të rëndësishëm të sezonit në futsallin kosovar.
Nëse triumfon Drenica, titulli do të udhëtojë drejt Skenderajt. Nëse fiton Prishtina 01, atëherë finalja do të vazhdojë me ndeshjen e tretë dhe vendimtare për kampionin e ri.

